Nr. 132 Prot Tiranë, 26 korrik 2018
Lënda: Autonomia vendore po cënohet nga nisma ligjore të qeverisë për projektin urban rreth godinës së Teatrit Kombëtar.
SH.T.Z. Ilir META
President i Republikës së Shqipërisë
I nderuar zoti President,
Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka ndjekur me vemendje debatin mbi ligjin e posaçëm për planin ndërtimor pranë Teatrit Kombëtar dhe godinës së re të tij.
Shoqata e Bashkive si aktore e rëndësishme e shoqërise civile në Shqipëri dëshiron të tërheqë vëmendjen e publikut, Presidentit dhe Kuvendit të Shqipërisë dhe të institucioneve të tjera kombëtare e ndërkombëtare mbi cënimin e autonomisë vendore. Konstatimi është bërë pas miratimit të ligjit 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.
Shoqata e Bashkive është e shqetësuar për ndërhyrjen e pushtetit qendor në kompetencat e qeverisjes vendore. Qeveria, me fuqinë dhe mekanizmat e saj, po krijon precedentë të rrezikshëm, duke ndërhyrë, imponuar për interesa të saj në vendimarrjen e qeverisjes vendore, këshillave bashkiak dhe komunitetit.
Rasti i ligjit 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” është sot dhe mund të bëhet nesër model i keq edhe në bashki të tjera të Shqipërisë. Kjo mbështetet në argumentet si më poshtë:
Duke konsultuar ligjin 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, sjellim në vëmendje Nenin 9, citojmë:
“Nënshkrimi i kontratës nga kryetari i Bashkisë Tiranë ose person i autorizuar prej tij bëhet brenda afatit kohor prej 10 ditësh, nga data e marrjes së projekt – kontratës dhe relacionit përmbyllës të negociatave.”
Pra, sikurse lexohet, ligji parashikon vetëm nënshkrimin e kryetarit të Bashkisë përkundrejt përcaktimeve ligjore në ligjin organik të vetqevrisjes vendore që kërkon që një vendimarrje e tillë të realizohet vetëm nga Këshilli i Bashkisë, me miratimin e të paktën tre të pestave. Ky ligj e suprimon Këshillin e Bashkisë si organi, pronar i truallit në fjalë, duke e zëvendësuar me nënshkrimin e Kryetarit të Bashkisë.
“Pas nënshkrimit të kontratës nga kryetari i Bashkisë Tiranë ose personi i autorizuar prej tij, kontrata, së bashku me relacionin përmbyllës të negociatave, i dërgohet Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave ligjore për miratimin e kontratës nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.”
Miratimi i kontratës nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë shënon përsëri një kapërcim të juridiksionit lëndor të pushtetit vendor nga ana e Qeverisë dhe më tej Kuvendit, duke shkelur përsëri parime të autonomisë vendore të sanksionuara në legjislacionin shqiptar dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara.
Parimet e funksionimit në shtetin e së drejtës përcaktojnë hierarkinë e akteve ligjore.
Sipas kësaj hierarkie, Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i miratuar me shumicë të cilësuar nga Kuvendi i Shqipërisë, prevalon mbi çdo ligj të miratuar me shumicë të thjeshtë.
“Karta Europiane e Autonomisë Vendore”, e ratifikuar nga Shqipëria, njeh dhe sanksionon rolin e pazëvendësueshëm të këshillave vendore në ushtrimin e autonomisë vendore.
Sipas saj, Neni 3, “Koncepti i autonomisë vendore”, parashikon se
Referuar kësaj karte, ankimimi nga një pjese e anëtarëve të Këshillit Bashkiak Tiranë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, do të sillte shfuqizimin e këtij ligji, nëse ky ligj hyn në fuqi. Ndërkohë Gjykata Kushtetuese është në kushtet e pamundësisë së shqyrtimit të një ankese të tillë për mungesë të kuorumit të anëtarëve. Në rastin më të keq, ky ligj mund të hyjë në fuqi dhe do të jetë shumë vonë për Gjykatën Kushtetuese për të riparuar dëmin e shkaktuar qytetarëve, artistëve dhe interesit publik.
“Karta Europiane e Autonomisë Vendore” garanton mbrojtjen ligjore të autonomisë vendore.
Sipas saj, në Nenin 11, përcaktohet se: “Nëpërmjet rekursit në mjete efektive juridike nënkuptohet e drejta e një organi vendor për të përdorur: a. një gjykatë të krijuar mbi bazën e ligjit, ose b. një organ ekuivalent, të pavarur, ose statusor, që ka të drejtë të vendosë ose të këshillojë për marrje vendimi, nëse një veprim, mosveprim, vendim ose akt tjetër administrativ është ose jo në përputhje me ligjin.
Në kushtet aktuale anëtarë të këshillit bashkiak nuk mund ta ushtrojnë këtë të drejtë.
Ligji 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, i shkel të gjitha këto parime dhe krijon një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.
I nderuar z. President,
Parashtruam para Jush argumentet ligjore që sipas Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë cënojnë rëndë autonominë e qeverisjes vendore, kuadrin ligjor si dhe marrëveshjet ndërombëtare të ratifikuara nga Shqipëria.
Sa më sipër, kërkojmë nga ana Juaj, që të merrni në konsideratë kërkesën tonë, dhe pas konsultimeve të nevojshme të merrni vendimin për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.
Për Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë
VOLTANA ADEMI
KRYETARE