NJOFTIM PËR SHTYP – Shoqata e Bashkive te Shqiperise

Tiranë, 21 gusht 2018

NJOFTIM PËR SHTYP

Caktimi nga Qeveria i OSHEE si agjent për mbledhjen e taksës së ndërtesës si ndërhyrje flagrante dhe e hapur ndaj pushtetit vendor.

 

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, si mbrojtëse e parimeve të autonomisë vendore, shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin për projektvendimin e qeverisë qendrore, nëpërmjet të cilit synohet që një taksë vendore si ajo e ndërtesës, të mblidhet nga një ent qeveritar si OSHEE.

 

Projektvendimi i paligjshëm i qeverisë parashikon që OSHEE të mbledhë taksës e ndërtesës kundrejt një komisioni prej 4% të shumës së mbledhur. Kjo është në kundërshtim të hapur me Ligjin për Veteqeverisjen Vendore dhe me ligjin për sistemin e taksave vendore, ku thuhet shprehimisht se “është e drejta e bashkisë të përcaktojë mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë zgjedhjen e agjentit fiskal dhe detyrimet e ndërsjellta.”

 

Eksperienca e vendeve të rajonit tregon se në asnjë rast nuk ekziston një praktikë e tillë, ku qeveria cakton edhe agjentin, edhe komisionin për mbledhjen e një takse vendore.

 

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë thekson se ndërhyrja e qeverisë me një agjent tatimor të varur prej saj është provuar si e dështuar (problematike). Kur Drejtoritë Rajonale Tatimore u caktuan nga qeveria për mbledhjen e nje takse vendore si ajo e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të biznesit të vogël, të ardhurat e bashkive u reduktuan ndjeshëm dhe sistemi i llogaritjes së parave të mbledhura, u fut në kaos.

 

Bashkitë nuk kanë kontroll mbi sistemet e përdorura nga institucionet qendore dhe, shpesh, kjo ka sjellë mosdeklarim të plotë të të ardhurave të mbledhura, duke duke derdhur në llogaritë e Bashkive aq sa t’i tekej qeverisë.

 

Pavarësisht vështirësive që sjell zbatimi i taksës për pushtetin lokal, Shoqata e Bashkive te Shqipërisë me don se problemi kryesor nuk është grumbullimi i taksës, por identifikimi i taksapaguesve dhe i ndërtesave që taksohen.

 

I           nstitucionet në varësi të qeverisë qendrore i kanë shpërfillur dhe nuk u janë pergjigjur kërkesave zyrtare të bashkive për informacion, me qëllim krijimin e rregjsitrave të plotë lokalë. Në vend që t’i marrë kompetencat e bashkive, qeveria qendrore duhet të ndërhyjë menjëherë për të zgjidhur këtë problematikë, duke u dhënë bashkive mundësi të identifikojnë godinat dhe më pas të caktojnë vetë kush e mbledh taksën e tyre.

 

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë kërkon tërheqjen e qeverisë nga nisma antiligjore, që cënon rëndë autonominë vendore dhe kërkon që të jenë bashkitë ato që do të vendosin sesi do të mblidhet taksa e ndërtesës.

 

Në linkun më poshtë mund të gjeni të plotë arsyetimin në shkresën dërguar Ministrit të Financave.

 

http://aam.org.al/category/qendrimet/