Komentet dhe mendime të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë për Projekt Vendimin mbi ‘Metodologjinë e përcaktimit të vlerës së pronës së taksueshme” – Shoqata e Bashkive te Shqiperise

Komentet dhe mendime të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë për Projekt Vendimin mbi ‘Metodologjinë e përcaktimit të vlerës së pronës së taksueshme”

Lënda:             Komentet dhe mendime të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë për Projekt Vendimin mbi ‘Metodologjinë e përcaktimit të vlerës së pronës së taksueshme”

Drejtuar:         Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë

Drejtoria e Përgjithshme e Politikave Makroekonomike dhe çështjeve fiskale

I nderuar zoti Ministër,

 

Duke ju falenderuar për përfshirjen dhe interesimin e institucionit tuaj për të marrë opinione dhe mendime mbi këtë projekt vendim, lidhur me reformën e sistemit të taksimit të pasurisë së paluajtshme, po ju dërgojmë paraprakisht komentet tona, të cilat janë formuluar në formë të sintetizuar pas grumbullimit të opinioneve dhe komenteve nga bashkitë.

 

Në tërësi ne gjykojmë se është bërë punë e mirë në hartimin e kësaj metodologjie. Metodologjia është shumë përfshirëse dhe ka një diapazon të gjerë veprimesh dhe alternativash që i japin rrugëzgjidhje kësaj situate shumë kakofonike në regjistrimin dhe vlerësimin e pronave.

 

Përpos këtij vlerësimi ne kemi këto komente që mendojmë se do ta pasurojnë këtë projekt-vendim dhe do ta bëjnë më funksional dhe social për qytetarët së pari, si edhe për institucionet.

 

Komentet tona në detaje janë si më poshtë:

 

  • Në nenin 2, pika 1.1 thuhet “banesa dhe ndërtesa të ngjashme”

Komenti: duhet të specifikohen për të shmanguar abuzivitetet nga taksambledhësit.

 

  • Në nenin 2 pika 1.4 fjalët ’që nuk përdoren,’

Komenti: Duhet rifomuluar pasi nuk del qartë se çfarë do të nënkuptohet.

 

  • Në nenin 2, pika 2.2 fjalët “si dhe ndërtesat për mbarështrim të bagëtive.”

Komenti:

  1. Objektet për këtë qëllim të taskohen në masën 30% nga 70% sipas propozimit për biznese të linçensuara në mbarështrim bagëtish,
  2. Te përjashtohen nga kjo taksë fermerët dhe fshtarët që kanë një ndërtesë tip kasolle për bagëtitë e familjes.

 

  • Në nenin 2, pika 2, gërma b “çmimi për garazh të mbuluar është 70% e vlerës së banesës”

Komenti: mendojmë që kjo vlerë të jetë 35% e vlerës së banesës, pra sa 1/3 e vlerës së banesës kur garazhi përdoret vetëm për makinën familjare dhe jo për qëllime biznesi.

 

  • Në nenin 2, pika 2, gërma c ”çmimi i 1 m² sipërfaqe ndërtimi për zyra” është sa çmimi i 1 m² banese.

Komenti:

  1. për ambiente zyrash që nuk kanë qëllim fitimi, këto mjedise të mos taksohen,
  2. për ambiente të tjera zyrash biznesi me qëllim fitimi, niveli taksimit të jetë 30 – 50 % të vlerës së banesës sipas zonës dhe nënzonës.

 

  • Në nenin 2, pika 2, germa d ” çmimi për 1 m² bodrum”

Komenti: edhe bodrumi kur nuk është për qellim fitimi apo biznesi të taksohet në masën 30% të vlerës së banesës.

 

  • Në nenin 2, pika 2, gërma e ”ndërtesat e privatizuara me 7652/92.”

Komenti: Këto ndërtesa për shkak të amortizimit, mendojmë të taksohen në masën 40 – 50 % të vlerës së banesës sipas zonës dhe nënzonës.

 

Ne vijim të komenteve dhe opinioneve kërkojmë më shumë qartësi për disa çështje si:

 

  • a duhen taksuar ndërtesat e braktisura / të papërdorura, qoftë me çertifikatë pronësie apo jo? Kjo nuk na del qartë në metodologji dhe kërkon sqarim.

Komenti: për ti dhënë vlerë edhe kësaj prone të braktisur dhe të rrënuar duhet të taksohen në masën 10% deri sa të bëhet funksionale dhe me kërkesën e pronarit kur ta çrregjistrojë përfundimisht të mos taksohet më…?

  • në nenin 4 pika 1,1 fjalët “periudha e tranzicionit”

Komenti: mendojmë që duhet të ketë afate të përcaktuara ligjore për këtë periudhë. Psh. kadastra fiskale duhet të përfundojë rregjistrimin e pronave në kuptim të kësaj metodologjie deri më 31 dhjetor 2020.

  • në nein 4 pika 4.2 fjalia ’NJQV duhet ti propozojë Ministrisë për miratimin e nëndarjes së zonave, për qëllim vlersimin e vlerës së pronës dhe taksimi’

Komenti:

  • bashkitë duhet ta bëjnë këtë vetë, me vendim të Keshilllit Bashkiak dhe s’është i nevojshëm miratimi në Ministri,
  • vlerësimi i pronave të bëhet një herë në vit dhe jo më pak se një herë në 2 apo 3 vite, dhe kjo varet nga profilet e bashkisë dhe trendi i zhvillimit në sektorin ekonomik dhe ndërtimin e çdo NJQV.

 

Duke vlerësuar përpjekjet e institucionit dhe punën e grupit të ekspertëve për këtë metodologji, mendojmë se në këtë projekt vendim duhet të integrohen dhe të jenë pjesë e ligjit edhe disa çështje të tjera (mbase mund të jenë në një ligj tjetër) si:

  1. kur do jetë afati fundit i vetdeklarimit? duhen cakuar afate detyruese?
  2. deri kur do të merret në konsideratë Udhëzimi nr. 3 i Këshillit të Ministrave dt 28.12.2016?
  3. në këtë projekt vendim të metodologjisë nuk përcaktohet akoma agjenti taksës mbledhëse për këtë takes, referuar dhe Ligjit 106/2017 në nenin 22.5. Mendojmë se NjQV duhet ta dinë këtë para datës 1 prill 2018. Ne kemi bindjen se kjo duhet t’ju lihet përgjegjësi dhe kompetencë e plotë bashkive.
  4. për ti dhënë një dinamikë të fuqishme këtij proçesi duhet të jenë parashikuar afate të caktuara për kadastren fiskale.

 

Duke ju falenderuar edhe një herë, shpresojmë ti merrni në konsideratë komentet tona, me bindjen se do ta bejnë këtë projekt vendim më të mirë.

 

Faleminderit!