Bashkia Berat – Shoqata e Bashkive te Shqiperise

BASHKIA BERAT


Qarku:
Berat


Qendër bashkie:
Qyteti i Beratit


Sipërfaqja:
379.98 Km katrorë


Popullsia:
98875 banorë


Kryetar bashkie:
Petrit Sinaj


Numri i anëtarëve të këshillit bashkiak:
31


Njësitë administrative:
Berat, Velabisht, Otllak, Sinjë, Roshnik


Faqja zyrtare e internetit:
http://bashkiaberat.gov.al/



PROFILI I BASHKISË


Bashkia e re Berat kufizohet në veri me bashkitë Kuçovë dhe Ura Vajgurore, në lindje me bashkinë Gramsh dhe Skrapar, në jug me bashkinë Poliçan, ndërsa në perëndim me bashkinë Mallakastër. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Beratit. Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 60.031 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 98.875 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 379.98 km2. Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 50 fshatra. Qyteti i Beratit, për shkak të historisë së tij mijëravjeçare si zonë e banuar, mbart vlera historike dhe arkitektonike të rralla, duke u përfshirë kështu në vitin 2008 dhe në listën qyteteve muze të mbrojtur nga UNESCO. Vlerat historike, por dhe bukuria natyrore e qytetit të shtrirë përgjatë lumit Osum dhe rrëzë malit Tomor, po tërheqin gjithmonë dhe më shumë turistë përgjatë të gjitha stinëve, duke nxitur shumë nga banorët të kthejnë shtëpitë e tyre karakteristike në bujtina për turistët dhe duke shtuar të ardhurat nga turizmi. Qyteti i Beratit tashmë i siguron të ardhurat kryesisht përmes turizmit, biznesit fason, si dhe prodhimeve dhe tregtimit të produkteve të konservuara. Në bashkinë e re të Beratit, krahas qytetit janë dhe katër njësi administrative rurale. Dy prej tyre, Velabisht dhe Otllak, janë zona kryesisht fushore dhe pjellore, ku të ardhurat kryesore sigurohen nga prodhimi i perimeve, ullinjve dhe vreshtarisë. Ndërkohë që dy njësitë e tjera administrative, Rroshnik dhe Sinjë, kanë reliev kodrinoro-malor dhe të ardhurat kryesore sigurohen nga pemëtaria dhe blegtoria.